Rebelët huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë kryer sulme me dronë në Arabinë Saudite, duke shënjestruar një uzinë të gazit të lëngshëm natyror, një hidrocentral, një uzinë të naftës dhe një stacion energjie, tha koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Sulmet ndodhën mëngjesin e 20 marsit. Nuk ka raportime për viktima, por koalicioni tha se janë dëmtuar disa makina civile dhe shtëpi në gjendeshin pranë këtyre ndërtesave.
Këto sulme shënojnë një përshkallëzim të sulmeve huthi në Arabinë Saudite, teksa bisedimet e paqes kanë ngecur.
Një zëdhënës i rebelëve huthi tha se grupi brenda orësh do të njoftojë për një operacion të gjerë ushtarak në Arabinë Saudite.
Sulmet vijnë teksa gjiganti i naftës, Aramco – që mbështetet nga Arabia Saudite – tha se fitimet ishin rritur për 124 për qind më 2021, përkatësisht në 110 miliardë dollarë, krahasuar me 49 miliardë dollarë fitim më 2020.
Aramco publikoi raportin e fitimeve teksa ka paqëndrueshmëri në tregjet energjetike për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Sanksionet e ashpra të Perëndimit ndaj Rusisë, që është një prej eksportueseve më të mëdha të naftës së papërpunuar dhe prodhimeve të naftës, kanë shtuar lëkundjet në tregun e energjisë.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri më tani u kanë rezistuar thirrjeve të Perëndimit që të rrisin prodhimin e naftës, teksa çmimet e benzinës janë rritur shumë. /REL/