Rebelët Houthi nga Jemeni kanë publikuar video të sulmit, për të cilin pretendojnë se e kanë kryer brenda territorit të Arabisë Saudite.
Ditë më parë kishin deklaruar se kanë zënë rob qindra ushtarë, përfshirë pjesëtarë të ushtrisë saudite, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër zëdhënësi i tyre thotë se operacionin ushtarak të kryer në Najran në jug të Arabisë Saudite e kanë kryer prej muajsh, duke shtuar se të paktën 500 luftëtarë janë vrarë apo plagosur.
“Njësitë tona speciale kanë shpartalluar një numër të madh të ushtarëve të agresorëve. Njësitë tona ua kanë ndërprerë linjën e furnizimit nga lindja dhe perëndimi. Më pas e kemi shtuar numrin e ushtarëve që të mos ketë lëvizje”, ka deklaruar zëdhënësi Jahja Sari.
Gjithashtu, Sari ka shtuar se forcat e tyre kanë kryer sulme raketore mbi disa caqe brenda Arabisë Saudite, në Nejran, Asir dhe Jazan në kuadfër të aksionit “Ndihma e Zotit”.
Në anën tjetër, Arabia Saudite nuk është përgjigjur mbi pretendimet e rebelëve. Al Jazeera nuk ka mundur të konfirmojë videon dhe pretendimet që janë publikuar në televizionin Al-Masir që kontrollohet nga Houthi. /Telegrafi/