“Si ta fillojmë një podcast” ishte ngjarja e cila u mbajt të premten në HaPiTe Space, ku u diskutua për hapat dhe teknikat e realizimit të një podcasti të sukseshsëm.
Gonxhe Gërxhaliu e Arbër Selmani, podcasterë, si dhe Gazmend Avdiu, producent me përvojë të gjatë – ishin të ftuarit e këtij eventi të cilët ofruan këshilla nga përgatitja për podcast e deri te realizimi i tij.
Gjatë diskutimit mes folësve u qartësua dallimi esencial ndërmjet podcastit dhe emisioneve të radios.
Producenti Avdiu u fokusua më shumë te ana teknike e realizimit të podcastit, ndërsa tha se për fat të keq kjo formë e medias digjitale aktualisht nuk po arrin sukses në Kosovë, siç po ndodh në vendet e tjera të botës.
Avdiu më tej tha se dallimi kryesor me programin tradicional të radios është se podcasti është audio-material, të cilin mund ta shkarkoni falas në pajisjet tuaja, telefon apo kompjuter.
Ai po ashtu theksoi se pajisjet për realizimin e një podcasti duhet të jenë shumë më profesionale.
“Së pari duhet një mikrofon shumë i mirë, ideale është që pajisjet me qenë në nivel më të lartë. Te ne në Kosovë podcasti nuk po ka sukses ashtu sikurse në botë e ndoshta një prej arsyeve është që nuk po bëhet dallimi mes një podcasti dhe një radio show. Në Amerikë dhe në Angli podcasti është në nivelet më të larta pastaj ka filluar në Kinë e në Australi”, u shpreh Avdiu derisa shtoi se edhe emisioni për radio por edhe podcasti kualitetin e zërit duhet ta kenë prioritet.
Gonxhe Gërxhaliu – autore e “Lifestyle me Gonxhen”, dha disa këshilla të tjera të vlefshme për realizimin e një podcasti të suksesshëm.
“Mendoj se fillimisht për ta realizuar një podcast është e rëndësishme që të përcaktohesh për formatin se si dëshiron me realizu. Pastaj numrin e të ftuarve, kohëzgjatjen e një podcasti dhe diçka tjetër që është shumë me rëndësi është që më pas komunikim me njerëzit”.
“Kjo pasi unë si autore e një podcasti mund të mos e dij se çka është duke ndodhur në lidhje me një temë që mund të jetë interesante për publikun, por gjatë diskutimit me të tjerët mund të të kujtohet apo të informohesh në lidhje me atë temë”, tha Gërxhaliu.
Ndërkaq, Arbër Selmani autor i “Confessions/Rrëfime”, tha se përveç pjesës argëtuese, podcasting “e ndjej se është edhe një paketë edukative”.
Sa i përket përgatitjeve për të realizuar një podcast, Selmani theksoi se përveç pjesëve teknike, duhet edhe shumë hulumtim.
“Unë çdo herë përgatitem, hulumtoj rreth një teme përpara se të fillojë realizmin e një podcasti. Për mua është shumë me rëndësi bashkëbisedimi, afërsia dhe gjuha e trupit që e krijoj me mysafirin. Podcastin e shoh si një muhabet të kafeneve i cili është pak më i filtruar”.
“Unë kur i ftoj mysafirët foli pa dorëza në podcast dhe bëj muhabete që i bëj edhe në kafene, por sigurisht rreth temës së librit. Vetë shkruaj, pra jam poet dhe e njoh botën e librit dhe cdo herë trajtoj tema që lidhen me këtë çështje”, tha ai.
HaPiTe Space është themeluar nga Hallakate, Pixels dhe Telegrafi, me qëllim të diskutimit të temave të ndryshme për komunitete të ndryshme. /Telegrafi/