Site icon Telegrafi

Realiteti i ri i botës së lirë

James Forsyth / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në Evropë shpejtë mund ta shohim brutalitetin e sojit që shkon përtej aftësisë tonë të të kuptuarit. Pas dështimit të strategjisë fillestare ushtarake, Rusia gjithnjë e më shumë po i shton bombardimet pa kontroll në Ukrainë, në përpjekjen për t’i realizuar synimet e veta. Pushtimi i Vladimir Putinit e ka shpartalluar bindjen e vjetër se epoka e luftërave mes shteteve kombëtare evropiane ka marrë fund, sepse pasojat e kësaj do të ishin thjeshtë të pamëshirshme. Dështoi politika e paralajmërimit të sanksioneve si pengesë ndaj këtij synimi. Para syve tanë po ndryshojnë konceptet që për një brez e kanë lëvizur gjeopolitikën evropiane.

Askund ky ndryshim nuk është më dramatik sesa në Gjermani. Pas ribashkimit të vendit u ulën shpenzimet për mbrojtjen dhe, për dekada të tëra, qeveritë pasuese i kanë refuzuar kërkesat e aleatëve për të dhënë më shumë për ushtrinë. Kancelari Olaf Scholz tashmë ka njoftuar se Gjermania nuk do ta përdorë “Nord Stream 2”-shin – tubacionin që përfundoi kohët e fundit e që për qëllim ka sjelljen e drejtpërdrejtë të gazit rus në vend. Për habinë më të madhe, Gjermania do ta përmbushë objektivin e NATO-s edhe për mbrojtje: do të shpenzojë dy përqindëshin e PBB-së (rritje nga 1.5 për qind) deri në vitin 2024 – ndryshim i madh ky në politikë, por i mbështetur nga opinioni publik.

Në një si sinjal tjetër se sa shumë ka ndryshuar debati në Gjermani, zëvendëskancelari nga radha e të Gjelbërve, Robert Habeck, ka thënë se edhe pas përfundimit të këtij viti është i gatshëm t’i mbajnë hapur centralet bërthamore të vendit, kohë kjo kur, sipas ligjit, ato duhet të mbyllen. Edhe nëse kjo nuk ndodhë, komentet e Habeckut tregojnë se Qeveria gjermane më në fund po i kupton rreziqet e varësisë nga energjia ruse. Privatisht, zyrtarët e lartë në Berlin u sugjerojnë partnerëve evropianë se brenda dy vjetëve mund ta ndalojnë importin e gazit rus. Rusia e siguron një të katërtën e gazit që përdoret nga Franca dhe më shumë se gjysmën e gazit që përdoret nga Polonia dhe nga shtetet baltike. Nëse këto vende mund të gjejnë burime tjera energjie, mund ta zvogëlojnë ndikimin e Putinit në kontinent.

Në Uajtholl (rruga në Londër ku gjendet Qeveria e Britanisë së Madhe – v.j.) po mirëpritet ndryshimi i mendësisë së Berlinit për “Nord Stream 2”- shin dhe për shpenzimet për mbrojtjen. Por, qasja e re e Gjermanisë ngre po ashtu disa dilema edhe për Britaninë. Britania e Madhe krenohet meqë, pas ShBA-së, është anëtarja me buxhetin më të madh të mbrojtjes në NATO: një pozicion ky i rëndësishëm për marrëdhëniet e veçanta dhe të rolit të Britanisë në sigurinë evropiane. Tashti kjo pozitë e Britanisë së Madhe do të merret nga Gjermania. Një numër i madh i konservatorëve po bëjnë fushatë që, për mbrojtjen, Britania të mbetet shpenzuesi më i madh evropian në NATO, gjë që nënkupton dedikimin e një 0.4 përqindëshi shtesë të PBB-së – rreth nëntë miliardë funte.

Është lehtë të kuptohet se ku do të shkojnë këto para. Agresionet e përshkallëzuara të Rusisë – Gjeorgjia më 2008, aneksimi i Krimesë më 2014 dhe pushtimi i Ukrainës më 2022 – kanë implikime të dukshme në sigurinë e shteteve baltike. Për ta penguar revanshizmin e mëtejmë rus, duhet të ketë dislokime të përhershme në krahun lindor të NATO-s.

Në fillim të luftës, Qeveria shqetësohej nga “normalizimi i ngadalshëm” – se rusët do të godasin shpejt, se do ta instalojnë një qeveri kukull në Kiev dhe se, më pas, pas një periudhe të shkurtër dënimi, shumica e shteteve në Evropë do të ktheheshin në pozicionet e mëparshme. “Nëse Putini do ta kishte bërë këtë në mënyrë precize e të shpejt, shumë njerëz do të kishin dashur të vepronin si më parë”, ka thënë një ministër i kabinetit qeveritar. Në vend të kësaj, ndryshimi i qasjes së Evropës ka qenë i fuqishëm dhe vendimtar – dhe, barbaria të cilën Putini është i gatshëm ta ndërsejë vetëm se do ta përforcojë këtë vendosmëri.

Qëllimi i Putinit është ta kthejë Ukrainën në një Bjellorusi të re me një udhëheqës pro Kremlinit e më pas t’i tërheqë trupat e veta. Në Uajtholl po rritet besimi se, edhe nëse kjo ndodhë, vendet perëndimore do të vazhdojnë të vendosin sanksione dhe t’i japin armë mbrojtëse forcave të mbetura të rezistencës ukrainase. Sanksionet ekonomike ndaj Rusisë tashmë e kanë dhënë një efekt dramatik: po bie vlera e monedhës, norma e interesit është dyfishuar dhe ekonomia e saj parashikohet të tkurret me rreth 20 për qind. Gati gjysma e transportit botëror është i mbyllur për Rusinë.

Një nga gjërat më me rëndësi në lidhje me sanksionet nuk është fakti se sa gjithëpërfshirëse janë ato (veprimet kundër bankës qendrore ruse ishin të papritura), por se sa shumë vende po i bashkohen këtij angazhimi. Kur të hënën mbrëma Boris Johnsoni foli me grupin e deputetëve konservatorë të One Nation, theksoi faktin se Japonia dhe Singapori i kanë nënshkruar sanksionet. Këto vende nuk janë nxitur vetëm prej shqetësimeve në lidhje me Ukrainën. Ato gjithashtu duan t’ia dërgojnë një mesazh Kinës për atë çfarë u ndodhë agresorëve që pushtojnë fqinjët. “Të gjithë aleatët aziatikë e kuptojnë se kjo është në interesin e tyre”, më ka thënë një burim qeveritar.

Çfarëdo që të ndodhë në aspektin ushtarak, kjo krizë do të zvarritet për ca kohë. Por, në kohën kur artileria dhe fuqia ajrore e Rusisë po e bëjnë më të keqen, është e qartë se Putini e i ka bërë gabim llogaritë. “Putini i ka tri gjëra gabim”, thotë një sekretar i shtetit. “Tërësisht e ka nënvlerësuar vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar. Ai tërësisht e nënvlerësoi edhe vendosmërinë dhe unitetin e Perëndimit; mendonte se ishim shumë dekadentë. Dhe, ka menduar se kjo është Rusia e Stalinit dhe se njerëzit do t’i durojnë të gjitha llojet e vështirësive pa bërë gjë” Fakti se regjimi i Putinit po ndërmerr hapa kundër mediave të fundit të pavarura në vend, tregon për nervozizmin që ai ka rreth asaj që rusët mendojnë për luftën.

Është dashur të ndodhë pushtimi në masë i një vendi sovran për ta shtyrë botën demokratike të kuptojë se sa po rrezikohet rendi ndërkombëtar i bazuar në ligj. Kërcënimi me izolim ndërkombëtar doli të jetë i paefektshëm kundër një diktatori luftëdashës që është indiferent ndaj pengesave ekonomike dhe mendon se historinë krijohet nga ata që janë të gatshëm për ta përdorur forcën. Bota demokratike po përballet me kërcënimin më serioz – se çdo tjetër – që nga Lufta e Ftohtë. Pra, Perëndimi tregoi se është i gatshëm ta ndërtojë një ushtri që mund ta mbrojë rendin e bazuar në ligj. Ronald Reagan e kishte një thënie për këtë: “Paqe përmes forcës”. Edhe një herë: kjo është strategjia më e mirë e botës së lirë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version