Prindërit dhe një vajzë e re jetojnë në kushte të vështira në një shtëpi të huaj, në njërën lagje të Prishtinës. Kjo është familja e një dëshmori të njohur, i rënë në vitin 1999. E gjithë lagjja e dinë për birin e tyre dëshmor dhe po ashtu shprehin keqardhje për kushtet e rënda në të cilat jetojnë. Plaku shprehet tejet i mllefosur me jetën dhe me njerëzit. Madje ai thotë se ka filluar të mos i bjerë ndërmend nëse ka pasur djalë, aq më pak të rrëfej për kontributin e të birit. Sa prindër fëmijët e cilëve ranë pikërisht për lirinë që sot ne gëzojmë, jetojnë në kushte skajshmërisht të rënda? Sa luftëtarë, veteranë, invalidë dhe kontribuues të lirisë bredhin rrugëve të fshatrave apo qyteteve tona, pa pasur një adresë dhe një ide ku të shkojnë? Sa ekspert, magjistra dhe doktorë janë pa punë, pa të ardhura dhe perspektivë? Sa familje jetojnë në shtëpi të huaja dhe nuk kanë një strehë të tyre ?
Në vitin 1999 kur UÇK u shndërrua në TMK me qindra luftëtarë mbeten pa u përfshirë në këtë strukturë, ngjashëm është vepruar edhe në fillim të këtij viti ku me një proces të ngutshëm dhe i cili u kritikua ashpër, mbetën jashtë FSK-së dhjetëra ushtarë. Në të njëjtën mënyrë është vepruar në përgjithësi me procesin e privatizimit, ku punëtorët janë hedhur në rrugë. Shpesh është thënë nuk ka vende pune dhe nuk ka kushte për të ju ndihmuar të gjithëve. Si njerëz të mësuar me durimin kemi kuptuar, por nuk mund të kuptohet trajtimi destruktiv që i bëhet shumicës në këtë Kosovën tonë, tash e dhjet vjet. Përderisa njëri politikanë thotë duhet dhënë serbëve nga 3.000 ose më shumë euro për ta pranuar realitetin, tjetri vë gurë themelin për ndërtimin e shtëpive, ani pse ato nuk i ka djegur askush! Prej vitesh jemi lodhur duke dëgjuar fjalët “t’i lusim le të kthehen, politikë është kjo”. Pse po u dashka t’u ofrojmë aq shumë lutje, aq shumë kërkesa? A nuk qenka mjaft ajo që u kemi ofruar me planin gjithë përfshirës (Martti Ahtisaari)? A nuk mjafton ajo që u kemi ofruar me kushtetutën tonë? A nuk mjafton ajo që u kemi ofruar me zonat e mbrojtura? A nuk mjafton që komunave ku jetojnë disa serb ju kemi ofruar të drejta të veçanta në polici, shëndetësi dhe arsim, (ligji për qeverisjen lokale)? Me të drejt Kosova shpesh është quajtur vend eksperimental. Thuajse ne duhet t’i shpikim të drejtat për një komunitet që nuk i ka asnjë vend tjetër, thuajse ne e kemi shpikur kushtetutën e parë!!!
Një sistem politikë i komplikuar, i krijuar nga ndërkombëtarët dhe i përqafuar fort pa asnjë kundërshtim nga politikanët tanë. Sistem që nuk mund ta gjejmë askund tjetër. Cili vend i ofron një komuniteti të vogël më shumë të drejta se 90 % të banorëve tjerë? Përkundër gjithë këtyre organizata të ndryshme dalin me vlerësime se komunitetet e vogla po largohen nga Kosova, (lexo raportin e fundit: Minority Rights Group MRG ). Ndër të tjera aty thuhet se askush nuk ju ofron atyre kushte, mbrojtje dhe siguri. Pra, në vend që radhiteshim të parët për aq shumë të drejta dhe kushte për minoritetet, ne kritikohemi se në mungesë të kushteve njerëzit largohen nga Kosova! Madje askush nga udhëheqësit e institucioneve nuk del për ta kundërshtuar këtë raport. Thonë që heshtja është pranim! Në të vërtet ata që për shkak të kushteve dhe mungesës së punës detyrohen të largohen nga Kosova, qoftë edhe pa dëshirë janë shqiptarët. Pra nëse dikush në Kosovë është i rrethuar me padrejtësi janë shqiptarët. Kush mund të punësohet sot përmes konkursit të rregullt në institucione publike? Ku mund të ankohesh nëse pa asnjë arsyetim dhe pa fakte largohesh nga puna në institucionin publik? Ku mund të ankohemi për arrogancën dhe padrejtësitë që na bëhen në ndërmarrjet publike apo për shërbimet që ofrojnë ato? Kujt mund t’i thuash që unë kam të drejt? Burokracia institucionale ka zbehur besimin në institucionet tona dhe me këtë duhet të merret seriozisht udhëheqësit e shtetit.
Është e drejt e kujtdo të kthehet në vendin e tij dhe të jetojë i lirë, mendoj se me këtë kemi treguar shembull të rrallë si popull. Në një vend demokratik komunitetet duhet të trajtohen në mënyrë të njëjtë. Pavarësisht prej gjendjes aktuale ekonomike, papunësisë dhe probleme që na rrethojnë jo vetëm neve në këtë pjesë, Kosova do të jetë stabile dhe demokratike vetëm atëherë kur të gjithë njerëzit që jetojnë në të, pavarësisht etnisë trajtohen njëjtë dhe me barazi të plotë. Këtë duhet ta bëjnë institucionet, pra shteti.
(Autori është drejtor ekzekutiv i OJQ-së Mileniumi i Ri. Mendimet në këtë vështrim janë personale)