Telegrafi

Reali shuan entuziazmin e Napolit, vazhdon në çerekfinale (Video)

Real Madridi është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke e eliminuar Napolin me rezultat të përgjithshëm prej 6-2.

Los Blancos fituan me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë në Santiago Bernabeu, ndërsa ata triumfuan edhe në San Paolo me të njëjtin rezultat 3-1.

Mertens e zhbllokoi rezultatin

Nikoqirët ishin skuadra më e mirë në gjysmën e parë të sfidës dhe me meritë kaluan në epërsi. Pas një aksioni mirë të realizuar, Dries Mertens pranoi një top nga Hamsik dhe e mposhti portierin Navas (24’).

Menjëherë pas, Cristiano Ronaldo e goditi shtyllën. Mirëpo, pas disa minutash edhe vendasit e goditën shtyllën përmes Mertens.

Skuadrat shkuan në pushim me epërsinë e napolitanëve, ndërsa gjërat ndryshuan krejtësisht në gjysmën e dytë.

Përmbysje nga kapiteni

Nga dy ndërprerje, Mbretërit përmbysën gjithçka. Pas një harkimi të Toni Kroos, Sergio Ramos e barazoi rezultatin me kokë (52’).

Edhe në golin e dytë ishin të përfshirë të njëjtët protagonistë të Realit, Kroos dhe Ramos, mirëpo u regjistrua si autogol i Dries Mertens (57’).

I inkuadruari në minutën e 77-të, Alvaro Morata arriti që të realizonte golin e tretë për Los Blancos në minutat shtesë (90’+1).

Me këtë triumf Real Madridi kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa Napolit i mbetet të luftojë në Serie A dhe në Kupën e Italisë. /Telegrafi/