Real Madridi ka pësuar një humbje të thellë në udhëtim te Eibar me rezultat 3-0.
Ndeshja nisi mirë për Realin që shënuan vetëm pas gjashtë minutash, por që goli i Bale u anulua për pozitë jashtë loje.
Në minutën e 11-të, Karim Benzema pati një rast të artë, por portieri vendas Riesgo intervenoi mirë për t’ia mohuar golin.
Vendasit në rastin e parë të mirë arritën të shënonin gol, kur në minutën e 16-të pas dy tentimeve realizoi Gonzalo Escalante.
Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për vendasit të cilët realizuan edhe një gol.
Marc Cucurella asistoi bukur tek Sergio Enrich i cili shënoi në portën e Courtois për 2-0.
Pasi kaluan pesë minuta, Eibar realizoi edhe golin e tretë dhe të nokautit për ekipin e Santiago Solarit.
Ishte sulmuesi spanjoll Garcia Kike që nga afërsia shënoi për 3-0.
Kjo ishte humbja e parë e Realit nën drejtimin e trajnerit argjentinas, Santiago Solari.
Pas kësaj humbje, Reali vazhdon të mbetet në pozitën e gjashtë në tabelë me 20 pikë të grumbulluara pas 13 ndeshjeve.
Në anën tjetër Eibar pas këtyre tri pikëve të arta është ngritur në pozitën e shtatë me 18 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Los Blancos do ta zhvillojnë në shtëpi përballë Valencias. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=NXatRvm1p10
https://www.youtube.com/watch?v=MTF3gkyjskU