Telegrafi

Reali, një pikë prapa

Mbretërit ishin skuadër dominuese që nga fillimi i ndeshjes, mirëpo shpërdoruan raste të shumta dhe arritën të jenë konkretë vetëm dy herë.

Gonzalo Higuain kaloi Realin në epërsi në minutën e 25-të, pas asistimit të Gutit, i cili ishte njëri nga lojtarët më solidë të vendasve në këtë ndeshje, dhe me rezultat 1-0 u mbyll pjesa e parë.

Edhe në pjesën e dytë, Los Blancos dominuan ndeshjen, por nga të gjitha rastet shfrytëzuan vetëm një. Nga rastet e pakta Valencias vlen të përmendet gjuajtja e David Silvas, i cili nga largësia prej 25 metrash goditi shtyllën (72’).

Nga ana tjetër, një pasim të Marcelos, e shfrytëzoi Cristiano Ronaldo, i cili mposhti portierin Cesar (78’), që këtë mbrëmje pati shumë punë për të bërë.

Me këtë fitore, Reali i afrohet Barcelonës në vetëm një pikë dhe do të shpresojë në pesë javët e mbetura për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit të Spanjës.

Ndërsa Valencia, përkundër humbjes mban pozitën e tretë në tabelë, porse duhet të ketë kujdes në javët në vijim, pasi që rrezikohet nga Sevilla dhe Mallorca. /Telegrafi/