Telegrafi

Reali mposht Romën dhe siguron kualifikimin nga pozita e parë në grup

Real Madrid, Roma (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/GUliver)

Real Madridi e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, pas fitores prej 2-0 kundër Romës në Stadio Olimpico.

Gjysma e parë nuk prodhoi gola dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të sfidës. Thibaut Courtois bëri një pritje të mirë pas goditjes nga Patrik Schick.

Një tjetër rast të mirë për vendasit e pati Cengiz Under në minutat shtesë të pjesë së parë, por nuk rezultoi efektiv.

Gareth Bale e zhbllokoi rezultatin (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Me të filluar gjysma e dytë (47′), Gareth Bale e shfrytëzoi një top të kthyer për ta zhbllokuar rezultatin.

Në vazhdim Nicolo Zaniolo rrezikoi për nikoqirët, teksa Bale pati një tjetër mundësi për mysafirët.

Epërsia e Los Blancos u dyfishua me golin e Lucas Vazquez (59′), i cili shënoi kur Karim Benzema asistoi me kokë brenda zonës.

Lucas Vazquez e dyfishoi epërsinë (Photo by Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Me këtë fitore, Real Madridi e ka siguruar pjesëmarrjen në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, edhe atë nga pozita e parë në Grupin G.

Në fazën tjetër është kualifikuar edhe Roma, duke qenë se më herët Viktoria Plzeni e ka mposhtur CSKA Moskën në udhëtim.

Dy skuadrat e fundit në tabelë do ta kërkojnë një vend në Europa League në xhiron e fundit. /Telegrafi/