Real Madridi e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, pas fitores prej 2-0 kundër Romës në Stadio Olimpico.
Gjysma e parë nuk prodhoi gola dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të sfidës. Thibaut Courtois bëri një pritje të mirë pas goditjes nga Patrik Schick.
Një tjetër rast të mirë për vendasit e pati Cengiz Under në minutat shtesë të pjesë së parë, por nuk rezultoi efektiv.
Me të filluar gjysma e dytë (47′), Gareth Bale e shfrytëzoi një top të kthyer për ta zhbllokuar rezultatin.
Në vazhdim Nicolo Zaniolo rrezikoi për nikoqirët, teksa Bale pati një tjetër mundësi për mysafirët.
Epërsia e Los Blancos u dyfishua me golin e Lucas Vazquez (59′), i cili shënoi kur Karim Benzema asistoi me kokë brenda zonës.
Me këtë fitore, Real Madridi e ka siguruar pjesëmarrjen në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, edhe atë nga pozita e parë në Grupin G.
Në fazën tjetër është kualifikuar edhe Roma, duke qenë se më herët Viktoria Plzeni e ka mposhtur CSKA Moskën në udhëtim.
Dy skuadrat e fundit në tabelë do ta kërkojnë një vend në Europa League në xhiron e fundit. /Telegrafi/