Real Madridi e ka fituar me përmbysje ndeshjen e dytë sezonale në La Liga duke e mposhtur Gironan në udhëtim me rezultat 4-1.
Në ndeshjen e zhvilluar në Estadi Montilivi, nikoqirët befasuan duke shënuar gol në minutën e 17-të përmes Borja Garcias, ndërsa në minutat në vazhdim i patën edhe disa raste të tjera shënimi që nuk i konkretizuan.
Me kalimin e minutave, Los Blancos u konsoliduan dhe filluan të tregoheshin të rrezikshëm në sulm. Pa përfunduar pjesa e parë u akordua penallti në favor të mysafirëve, ndërsa Sergio Ramos u tregua i saktë nga pika e bardhë (39′).
Një tjetër penallti për Mbretërit u akordua në fillim të pjesës së dytë dhe Karim Benzema u kujdes për përmbysjen e rezultatit (52′).
Pas një asistimi të bukur nga Isco, Gareth Bale pati kohë të mjaftueshme për të shkuar përpara dhe për ta mposhtur portierin kundërshtar (59′).
Benzema e shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë (80′), ndërsa e pati të lehtë të realizonte, pasi asistimi i Bale ishte shumë i mirë.
Dy ndeshje dhe dy fitore për Real Madridin që numëron gjashtë pikë në tabelën e La Ligas. Girona numëron një pikë nga barazimi pa gola në xhiron e parë.
Në javën e ardhshme, Los Blancos luajnë kundër Leganes, kurse Giorna udhëton te Villarreali. /Telegrafi/