Rayo Vallecano ka regjistruar fitore shumë të rëndësishme ndaj Real Madridit (1-0) në përpjekjet e fundit për t’i shpëtuar rënies nga La Liga.
Marcelo e bëri përpjekjen e parë, ndërsa Pozo e rrezikoi portierin Thibaut Courtois në dy raste. Pas një mundësie të Gareth Bale, në anë tjetër pati kërkesë për penallti dhe gjyqtari Pablo Gonzalez e konsultoi VAR-in dhe vendosi për njëmbëdhjetëmetërsh.
Adri Embarba e mori përgjegjësinë dhe rezultoi i saktë nga pika e bardhë duke e zhbllokuar rezultatin (23′).
Mariano shpëtoi nga ndëshkimi me karton të kuq pas konsultimit të VAR-it, ndërsa menjëherë pas shënoi, por nga pozita jashtë loje.
Në gjysmën e dytë, Bebe pati një mundësi të mirë, mirëpo Courtois intervenoi për të mos pranuar gol tjetër.
Gareth Bale pati një shans nga gjuajtja e lirë, teksa më pas me ndihmën e VAR-it, gjyqtari vendosi se nuk kishte penallti për Realin në një rast të dyshimtë.
Përkundër kësaj humbjeje, Real Madridi e ka të sigurt pozitën e tretë në tabelë dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve, derisa Rayo Vallecano ka edhe tri ndeshje në dispozicion për të shpresuar për mbijetesë.
Vallecano është mysafir i Levantes në xhiron e ardhshme, kurse Los Blancos janë nikoqirë të Villarrealit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=XVWVv4NlJbs