Real Madridi e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve pas fitores së thellë (6-0) si mysafir i APOEL Nicosias.
U desh të zhvillohej minuta e 23-të për t’u zhbllokuar rezultati. Luka Modric e priti një top të kthyer dhe goditi me vole nga largësia për ta shënuar golin e parë.
Pas një kohe të gjatë, Karim Benzema arriti të shënojë gol në Ligën e Kampionëve (39’). Asistues ishte Toni Kroos.
Në vazhdim, pas një harkimi nga këndi, Rapahel Varane e dërgoi topin te Nacho Fernandez, i cili shënoi nga afërsia (41’).
Benzema e realizoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje (45’+1), pas kombinimeve me Cristiano Ronaldon, ndërkohë që portugezi nuk u tregua aspak egoist.
Në fillim të pjesës së dytë, Mbretërit i shënuan edhe dy gola që mbajnë firmën e Cristiano Ronaldos.
Pas një harkimi nga e majta, portugezi kërceu më lartë për të shënuar me kokë (49’).
Goli tjetër erdhi pas një gabimi të vendasve, të cilin e shfrytëzoi Benzema dhe asistoi te CR7, i cili nga një pozitë jo e lehtë e dërgoi topin në rrjetë (54’).
Në këtë mënyrë, Real Madridi e ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt me dhjetë pikë të arkëtuara në Grupin H.
Mbretërit do të vazhdojnë tutje nga pozita e dytë, pasi që vendi i parë i takon Tottenham Hotspur që fitoi në udhëtim te Borussia Dortmundi me rezultat 2-1. /Telegrafi/