Telegrafi

Reali fiton në Riazor pas 18 vjetësh

Ylli i kësaj ndeshjeje ishte Karim Benzema, i cili me dy gola të tij i ndihmoi Realit të shënonte fitore ndaj Deportivo la Coruna, në Riazor, pas plot 18 vjetësh.

Goli i parë për Realin erdhi në minutën e 13, të cilin e shënoi Granero. Për rezultat 0:2 u përkujdes Benzema në minutën 40, rezultat ky me të cilin edhe përfundoi pjesa e parë e lojës.

Në pjesën e dytë, kur pritej një ofensivë e la Coruna-s, ishte sërish Reali ekipi që kontrollonte lojën në fushë. Megjithatë, një penalti e akorduar në minutën e 87 për la Coruna-n, të cilën Riki e shndërroi në gol, i dha pak shpresë ekipit nikoqir.

Kjo shpresë nuk zgjati shumë, pasi që Benzema u përkujdes për rezultatin përfundimtar të kësaj loje – 1:3.

Reali pati edhe disa shanse shumë të mira për të shënuar gol, ku veçohen dy raste për kapitenin Raul Gonzales në pjesën e parë të lojës, por të cilat ai nuk arriti t’i konkretizonte. /Telegrafi/