Telegrafi

Reali i falet dygolëshit të Ronaldos, Los Blancos triumfojnë ndaj Eibarit

Real Madrid ka shënuar fitoren e radhës në kuadër të ligës elitare spanjolle.

Madrilenët kanë triumfuar në stadiumin “Municipal de Ipurua” që ka kapacitet rreth 7100 ulësesh kundër skuadrës së Eibarit me rezultat 2-1.

Megjithëse kishin disa raste për shënim, mysafirët arritën të tundin rrjetën e kundërshtarëve vetëm njëherë.

Ronaldo deri më tani ka shënuar 18 gola në këtë sezon në La Liga

Ishte Cristiano Ronaldo që shënoi një gol të bukur në të 34 minutë të ndeshjes. Portugezi ka marrë një pasim të saktë prej një distance të largët nga ana Luka Modricit.

Por, në pjesën e dytë kampionët spanjoll dhe të botëror u befasuan prej skuadrës vendase, kur pritej të shënonin sërish Los Blancos.

Ivan Ramis shfrytëzoi më së miri hapësirën e lënë prej kapitenit Sergio Ramosit, i cili nuk u tregua i kujdesshëm gjatë rivënies këndore dhe në të 50 minutë, realizoi gol me kokë mbrojtësi spanjoll.

Dhjetë minuta më vonë, Ronaldo pati një rast të mirë për të shënuar golin e dytë, por këtë nuk e lejoi portieri i vendasve, Dmitrovic.

Ivan Ramis me bashkëlojtar duke festuar golin e barazimit

Gjashtë minuta para përfundimit të takimit, pas një sulmi mirë të organizuar, madrilenët arritën të kalonin sërish në epërsi.

Daniel Carvajhal harkoi për mrekulli në zonën e rreptësisë, ku më së miri u gjet Ronaldo dhe me kokë arriti të realizoi gol.

Deri në fund të takimit më nuk pati gola dhe kështu, ndeshja përfundoi me rezultat 2-1 në dobi të merengezëve.

Pas kësaj, Reali zë pozitën e tretë të renditjes tabelore me 57 pikë, ku ka 14 sosh më pak se lideri Barcelona, e cila gjatë mbrëmjes do të takohet me Malagan. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=KF5sw00KVMo

https://www.youtube.com/watch?v=3DJNp0WHoa0

https://www.youtube.com/watch?v=ZNCR2D4GtwI