Real Madridi e ka mposhtur Sevillën në kuadër të javës së pestë në La Liga me rezultat minimal 0-1.
Los Blancos e filluan ndeshjen më mirë se vendasit, pasi rrezikuan portën e tyre disa herë më anë të Eden Hazard, Karim Benzemas dhe Dani Carvajal, mirëpo goditjet e tyre nuk ishin të sakta.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, derisa në pjesën e dytë madrilenët ishin edhe më kërkues se Sevilla.
Pas një harkimi perfekt në zonën e rreptësisë nga Carvajal, sulmuesi francez arriti që ta fuste topin në rrjetën e kundërshtarit me kokë në minutën e 64-të.
Sevila më pas filloi të bënte lojë më të hapur dhe kërkonte që ta barazonte rezultatin, mirëpo Reali ishte i mobilizuar në të gjitha repartet.
Pas javës së pestë, Real Madridi pozicionohet në vendin e dytë me 11 pikë, aq sa ka edhe Athletic Bilbao në të parin, ndërsa në xhiron e gjashtë madrilenët do të përballen me Osasunan. /Telegrafi/