Site icon Telegrafi

Real Madridi tregon forcën para tifozëve të vet, fiton me ‘poker’ golash ndaj Gironës

Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat të thellë 4-0 ndaj Gironës në “Santiago Bernabeu”, në kuadër të javës së 24-të në La Liga.

Madrilenët epërsinë morën me anë të Vinicius Junior, i cili shënoi një gol spektakolar në minutën e gjashtë për epërsinë prej 1-0.

“Los Blancos” nuk u ndalën më kaq dhe dyfishuan epërsinë në minutën e 35-të ku kësaj radhe Vinicius ishte në rolin e asistuesit dhe Jude Bellingham në atë të golashënuesit, me anglezin që gjeti rrjetën e portës për 2-0.

Me epërsi prej dy golave të Real Madridit, përfundoi 45 minutëshi i parë i këtij takimi.

Në pjesën e dytë pritej reagimi i Gironës, por në fakt Real Madridi dominoi edhe në këtë pjesë duke shënuar edhe dy gola të tjerë.

Jude Bellingham (54’) ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shënuar për 3-0 pas një topi të kthyer brenda zonës.

Vetëm disa minuta më vonë pas një kundërsulmi vrasës, klubi mbretëror gjeti edhe golin e katërt në këtë takim me anë të Rodrygos (61’) i cili me një goditje precize mposhti portierin mysafir.

Pas kësaj fitoreje Real Madridi vazhdon si lider me 61 pikë të grumbulluara, pesë më shumë se Girona që gjendet në pozitën e dytë me 56 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version