Site icon Telegrafi

Real Madridi me reagim zyrtar të ashpër: Dy gola nga Vinicius barazuan ndeshjen të cilën e vendosi gjyqtari

Real Madridi e ka cilësuar përjashtimin e Jude Bellingham nga loja për protestat e tij për golin e anuluar ndaj Valencias si një ‘vendim të paprecedentë të gjyqtarit’.

Reprezentuesi anglez mendoi se ai e kishte fituar ndeshjen për ekipin e tij pas golit të shënuar me kokë në sekondat e fundit të takimit, por gjyqtari Gil Manzano i kishte rënë bilbilit për ta përfunduar ndeshjen me rezultat të barabartë 2-2.

20-vjeçari u ndëshkua me karton të kuq për protestat e tij, pasi tha në drejtim të gjyqtarit ‘it’s a f*cking goal’ dhe mbi këtë dhe rastet tjera kontroverse, “Los Blancos” ka lëshuar një njoftim zyrtar në uebfaqen e tyre.

“Një vendim i paprecedentë i Gil Manzanos pengoi fitoren e Real Madridit ndaj Valencias në Mestalla. Me rezultatin 2-2 në aksionin e fundit të ndeshjes, Brahim krosoi brenda zonës dhe Bellingham e finalizoi me një goditje me kokë duke e bërë 2-3. Por gjyqtari e anuloi golin duke sinjalizuar fundin e ndeshjes, teksa topi ishte në ajër”.

Lexo po ashtu Carlo Ancelotti zbulon se çfarë i tha Bellingham gjyqtarit në incidentin me karton të kuq

“Liderët e ligës merituan tri pikët, por shtuan vetëm një në një ndeshje ku ishin duke humbur 2-0. Dy gola nga Vinicius barazuan ndeshjen e cila u vendos me vendimin e Gil Manzanos”, ishte reagimi i Real Madridit për rastin.

Kjo dramë e zhvilluar në fund të ndeshjes në një farë mënyre e la në hije performancën fantastike të Vinicius Junior i cili si shpeshherë këtë sezon ishte ‘heroi’ i madrilenëve.

Gjiganti spanjoll do të synojë ta lë këtë ndeshje prapa krahëve, ndërsa tash do të fillojnë përgatitjet për duelin e së martës ndaj Leipzigut në “Santiago Bernabeu” në kuadër të ndeshjes së dytë të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/

Exit mobile version