Telegrafi

Real Madridi, pesë vjet pa humbje në fazën grupore

Ndeshja e të martës mbrëma kundër Borussia Dortmundit shënon një tjetër statistikë historike për Real Madridin.

Pas kësaj sfide, Reali ka mbetur i pamposhtur për pesë vite radhazi në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Kampioni në fuqi i garës më të madhe evropiane për klube nuk ka humbur në 29 ndeshje radhazi në fazën grupore. Nga këto takime, ka fituar plot 22 herë, kurse ka barazuar vetëm shtatë herë.

Ronaldo ishte sërish ylli i skuadrës (Twitter/Real Madrid)

Signal Iduna Park nuk ka qenë një stadium i preferuar për Los Blancos në vitet e fundit, mirëpo me një gol të Gareth Bale dhe dy gola të Cristiano Ronaldos, Mbretërit realizuan triumfin e parë (3-1) si mysafirë të BVB.

Lexo po ashtu Real Madridi fiton për herë të parë ndaj Dortmundit si mysafir me spektaklin e Ronaldos (Foto/Video)

Fitorja ndaj Dortmundit ishte e dyta në kuadër të Grupit H dhe Reali numëron gjashtë pikë pas dy xhirosh. Fitoren e parë në këtë edicion të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, Los Merengues e regjistruan kundër APOEL Nicosias.

Bale realizoi me vole (Twitter/Real Madrid)

Pikë të barabarta me skuadrën e Zinedine Zidane ka edhe Tottenham Hotspur që ka fituar ndaj BVB dhe APOEL-it.

Borussia Dortmundi dhe APOEL Nicosia janë pa pikë pas dy xhirove të para. /Telegrafi/