Real Madrid ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-2 në udhëtim ndaj Osasunës në kuadër të xhiros së 29-të në elitën e futbollit spanjoll.
‘Los Blancos’ morën epërsinë herët në këtë ndeshje kur Vinicius Jr (4’) shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Osasunës për të shënuar për 1-0.
Reagimi i Osasunës erdhi shpejt pasi ata barazuan rezultatin vetëm disa minuta më vonë me anë të Ante Budimir (7’) i cili shënoi për të barazuar shifrat në 1-1 pas asistimit të Jorge Herrandos.
Mysafirët u vunë në sulm për të rikthyer epërsinë dhe këtë e bën në minutën e 18-të, ku pas një aksioni mirë të organizuar, Dani Carvajal (18’) shënon për 2-1 pas asistimit të Fede Valverdes.
Me epërsinë minimale të Real Madridit përfundoi pjesa e parë e këtij takimi.
⏸️ @Osasuna 1-2 @realmadrid
⚽ 4’ @vinijr
⚽ 7’ Budimir
⚽ 18’ @DaniCarvajal92
📱 https://t.co/RaebC8JJV3#OsasunaRealMadrid pic.twitter.com/GFQbDi58Fm— Real Madrid C.F. (@realmadrid) March 16, 2024
Fraksioni i dytë i ndeshjes i takoi i tëri Real Madridit të cilët arritën që të shënojnë edhe dy gola të tjerë për të marrë fitoren e rëndësishme në udhëtim.
Brahim Diaz (61’) pas një aksioni individual u tregua i saktë përballë portierit për të shënuar për rezultatin 3-1, ndërsa goditjen përfundimtare vendasve ia dha përsëri Vinicius Jr (64’) i cili shënoi për 4-1 dhe golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje.
Krejt çka vendasit arritën të bëjnë deri në fund ishte shënimi i golit të dytë të cilin e gjetën me anë të Iker Munoz (91′).
Me këtë fitore Real Madridi shkon në kuotën e 72 pikëve, 10 më shumë se Girona në vendin e dytë dhe 11 më shumë se Barcelona në të tretin, por që të dyja kanë një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/