Puna në “Santiago Bernabeu” po vazhdon, ndërsa Real Madrid ka rënë dakord për një marrëveshje 25-vjeçare me kompaninë sportive Legends, e cila kap vlerën e 400 milionë eurove në vit.
Marrëveshja është bërë me një nga organizatat lider në këtë sektor, e cila punon me disa nga vendet më të mëdha në botë.
Sipas Voz Populi, marrëveshja do t’i lejojë kompanisë amerikane të përdorë deri në 20 për qind të shfrytëzimit të stadiumit.
Stadiumi tashmë është projektuar që të përdoret për futboll, por edhe për ekipin e femrave dhe basketboll.
Më shumë se një stadium
Sporti nuk do të jetë i vetmi aktivitet në stadium, i cili pritet të përfundojë në fillim të vitit 2023.
Punimet për ndërtimin e stadiumit do të kushtojnë klubit gjithsej 800-900 milionë euro, por klubi pret të sjellë të ardhura më të mëdha për të shlyer shpenzimet.
Arena do të jetë e hapur për ngjarje 300 ditë në vit, nga shfaqjet tregtare dhe ekspozitat deri te koncertet dhe ngjarjet sportive.
Do të ketë gjithashtu një shteg shëtitje rreth stadiumit, ku disa nga restorantet më të mëdha në Spanjë janë të ftuar të hapin lokalet e tyre në ato hapësira.
Zonat e reja VIP do të kenë gjithashtu mbi 25,000 metra katrorë.
Gjërat tjera interesante
Për të bërë të mundur të gjitha këto, çatia e stadiumit do të jetë thelbësore për të parandaluar ndikimin e motit në ngjarje.
Gjithashtu kyç është edhe fusha që lëvizë, që do të thotë se Real Madrid nuk do të ketë më nevojë të refuzojë ngjarjet për të mbrojtur sipërfaqen e fushës.
Kapaciteti i stadiumit shkon në 100,000 spektatorë për koncerte muzikore ose ngjarje të tjera. /Telegrafi/