Real Madridi do të nisë një turne parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përgatitur për fillimin e sezonit 2024/25.
Por, klubi ka konfirmuar tashmë se lojtarët që arrijnë në gjysmëfinale apo finale të Euro 2024 dhe Copa America 2024 nuk do të përfshihen në këtë turne.
Një arsye pas kësaj është Los Blancos që duan që lojtarët e tyre të pushojnë mirë pas angazhimit ndërkombëtar dhe do t’u japin atyre një periudhë pushimi trejavore.
Në këtë drejtim, Real Madridit do t’i mungojnë shtatë lojtarë kyç të ekipit të parë. Kjo pasi Franca, Spanja dhe Anglia arritën në gjysmëfinalen e Euro 2024.
Kylian Mbappe, Eduardo Camavinga, Ferland Mendy dhe Aurelien Tchouameni nuk do të luajnë në tri miqësoret në SHBA, përfshirë atë kundër Barcelonës.
Dani Carvajal ka ndihmuar Spanjën të arrijë në gjysmëfinale dhe Jude Bellingham ka luajtur një rol kyç edhe për Anglinë. Të dy do të jenë jashtë skuadrës udhëtuese për turneun në SHBA.
Fede Valverde është lojtari i vetëm i Real Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Ai do të mungojë edhe në ndeshjet në Amerikë për shkak të rregullave të klubit.
Carlo Ancelotti do të provojë variacione të ndryshme me lojtarët e skuadrës së tij dhe do t’u japë shanse të rinjve në ndeshjet parasezonale.
Real Madridi përballet me Milanin (31 korrik), Barcelonën (3 gusht) dhe Chelsean (6 gusht) si pjesë e ndeshjeve të tyre në SHBA. /Telegrafi/