Telegrafi

Real Madridi konfirmon numrat e fanellave për sezonin e ri, zbulohet numri i Mbappes

Klubi mbretëror, Real Madridi ka konfirmuar numrat e fanellave të futbollistëve për sezonin sportiv 2024/25.

Me fillimin e sezonit 2024/25, disa lojtarë në skuadrën e Real Madridit do të ndryshojnë numrin e tyre.

Edouardo Camavinga, i cili deri tani kishte 12-shin, do të fillojë të veshë 6-shin, ndërsa Federico Valverde ndryshon 15-shin me 8-shin, të cilin e la të lirë Toni Kroos.

Edhe Aurelien Tchouameni ka lënë fanellën me numër 18 dhe do të veshë 14-shin, teksa Arda Guler, i cili luajti me numër 24 sezonin e kaluar, do të mbajë fanellën me numër 15.

 

Megjithatë, e gjithë vëmendja ishte te numri që do ta mbajë në fanellë transferimi më i madh i viteve të fundit, Kylian Mbappe.

Real Madridi ka konfirmuar se ylli francez do të mbajë veshë fanellën me numër 9.

Të gjitha këto fanella, duke përfshirë edhe atë të Mbappes, do të jenë të disponueshme duke filluar nga nesër (e enjte), 11 korrik, në dyqanin Santiago Bernabeu dhe në të gjitha kanalet zyrtare të shitjeve të Real Madridit.

Ndryshe, fanella me numër 9 në të kaluarën është mbajtur nga legjenda si Karim Benzema, Cristiano Ronaldo, Javier Saviola, Roberto Soldado, Ronaldo Nazario da Lima, Fernando Morientes, Davor Suker, Luis Enrique, Jose Amavisca, Ivan Zamorano dhe të tjerë. /Telegrafi/