Telegrafi

Real Madridi konfirmon lëndimin e Toni Kroosit – gjermani pritet të mungojë në dy ndeshje

Real Madridi ka konfirmuar se në testimet e fundit të bëra në lojtarë, Toni Kroos ka rezultuar i lënduar nga fitorja 3-2 kundër Real Betisit në fundjavën që shkoi.

Mesfushori gjerman u detyrua që të lëshojë fushën në pjesën e parë të luajtur në Sevillë, për t’i liruar vendin Luka Modricit.

Në testimet e bëra këtë të hënë, rezulton të jetë se Kroos ka pësuar tendosje të muskujve dhe nuk dihet ende se sa do të mungojë.

“Pas testeve të bëra në lojtarin tonë, Toni Kroos, stafi mjekësor ka konfirmuar se ai ka tendosje të muskujve dhe do të shikojmë se kur do të jetë i gatshëm duke u bazuar në testimet e përditshme”, thuhet në njoftimin e Real Madridit.

Gjermani me gjasë do të mungojë në përballjen ndaj Real Valladolidit që zhvillohet këtë të mërkurë, derisa në fundjavë do të kenë punë me Levanten. /Telegrafi/