Ka qenë një fillim mjaft sfidues i sezonit ky i sivjetmi për Real Madridin, dhe pas dy humbjeve të njëpasnjëshme ndaj Barcelonës dhe Milanit, Carlo Ancelotti ka qenë nën një presion të madh.
Diario AS ka raportuar se hierarkia e Real Madridit ka disa dyshime sa i përket vazhdimësisë së Ancelottit si trajner, përkundër optimizmit që dha fitorja ndaj Osasunës.
Ndeshja e radhës ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve besohet të jetë çelësi për teknikun italian, i cili mund të shkarkohet nga pozita e tij gjatë javëve në vazhdim.
Në rast se ndodh kjo, Xabi Alonso do të jetë kandidati kryesor për ta zëvendësuar atë për një të ardhme afatgjatë.
Sidoqoftë, Alonso nuk do të largohet nga Leverkuseni deri në fund të sezonit, që do të thotë se Real Madridi do të kërkonte një opsion afatshkurtër.
Sipas raportit, Santiago Solari do të ishte kandidati i preferuar i drejtuesve të klubit për të marrë drejtimin e ekipit nëse ndodh kjo situatë.
Solari më herët kishte qenë në rolin e trajnerit të përkohshëm të Real Madridit mes viteve 2018 dhe 2019, kështu që nuk do të ishte një rol i panjohur për të./Telegrafi/