Real Madridi ka arritur ta rikthejë formën e tyre më të mirë gjatë muajit të fundit dhe në rast se fitojnë ndeshjen e mbetur ndaj Valencias, ata do të udhëtojnë në Arabinë Saudite për Superkupën e Spanjës në krye të La Ligas.
Sidoqoftë, shqetësimet sa i përket vazhdimësisë së Carlo Ancelottit në stol po vazhdojnë të rriten.
Siç u zbulua së fundmi nga tekniku italian, pika e kthimit ka qenë biseda që ka bërë ai me lojtarët pas humbjes ndaj Milanit.
Teksa u tha se Ancelotti i ftoi lojtarët në takim, mediumi spanjoll Relevo ka raportuar se ishin lojtarët ata që folën më së shumtin, në veçanti Luka Modric.
Sidoqoftë, i njëjti medium bën me dije se pozita e tij është tejet në rrezik pasi drejtori sportiv Santiago Solari është informuar që të bëhet gati në rast se Real Madridi vendos ta shkarkojë Ancelottin.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Solari bëhet opsion në një situatë kritike, pasi ai kishte zëvendësuar edhe Julen Lopeteguin në sezonin 2017/2018.
Megjithatë, argjentinasi nuk qëndroi më shumë se deri në shkurt në krye të Real Madridit, pasi ‘Los Blancos’ e emëruan Zinedine Zidanen në stol për herë të dytë./Telegrafi/