Duke marrë parasysh se Dani Carvajal dhe Lucas Vazquez kanë mbushur 32 vjet, Real Madridi së shpejti do të ketë nevojë për një mbrojtës të djathtë dhe tashmë ka një lojtar i cili është parashikuar të transferohet në ‘Santiago Bernabeu’.
Bëhet fjalë për Juanlu Sanchez i cili momentalisht aktivizohet në radhët e Sevillës dhe këtë sezon ka qenë një ndër lojtarët më të spikatur në pozitën e tij në La Liga.
Juanlu është një opsion tejet i pëlqyer nga drejtuesit e klubit, pasi ata e shohin spanjollin si lojtarin e duhur për të pasuar Carvajalin.
Sidoqoftë, ‘Los Blancos’ nuk e kanë me nxitim për të nënshkruar me të, pasi duan që bisedimet të bëhen mbi kushtet që ata vendosin siç raporton Estadio Deportivo.
Ideja është që Real Madridi të vazhdojë me Carvajal dhe Vazquez të paktën edhe sezonin e ardhshëm, dhe pastaj situata e Sanchez do të vlerësohet përsëri.
Në verën e vitit 2025, Juanlu do të kishte vetëm 12 muaj të mbetur në kontratën e tij me Sevillën, kështu që gjiganti madrilen do të kishte mundësinë të siguronte marrëveshjen me të për një çmim të ulët.
Për momentin, kostoja e klauzolës së Juanlus qëndron rreth 15 milionë euro por mund të rritet deri në 20 milionë nëse ai luan edhe tri ndeshje më shumë për Sevillën./Telegrafi/