Real Madrid ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Rayo Vallecanos në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit spanjoll.
Rastin e parë serioz vendasit e patën në minutën e 15-të kur ishin të pafat dhe nuk e gjetën golin pas shtyllës së Vinicius Junior.
Mysafirët në anën tjetër treguan shenjat e para në minutën e 27-të me Andrei Ratiun, por Andriy Lunin bëri një pritje fantastike.
Pas gjysmë ore lojë, Real Madridi kaloi në epërsi me Kylian Mbappe (30’) i cili shënoi një gol të bukur për 1-0 pas asistimit nga Vinicius Junior.
Kjo nuk ishte e tëra për ‘Los Blancos’ pasi ata pak minuta më vonë shënuan edhe të dytin, kësaj radhe me Vinicius Jr (34’) që u fut brenda zonës për të realizuar për 2-0.
Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë, Vallecano e gjeti golin duke shënuar me anë të Pedro Diaz (46’) që realizoi me ndihmën e traversës për 2-1.
Pjesa e dytë ishte e qetë dhe pa raste konkrete për ndonjërën skuadër dhe rezultati mbeti po ai i pjesës së parë.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 57 pikë, po aq sa ka edhe Barcelona si lider, por me një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/