Telegrafi

Real Madridi fiton në vazhdime ndaj Atletico Madridit dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit

Real Madrid ka mposhtur Atletico Madrid në kuadër të çerekfinales së Kupës së Mbretit me rezultat 3-1, pas vazhdimeve, duke kaluar në mesin e katër më të mirëve në këtë garë.

Los Colchoneros shkuan në pushim në epërsi me golin e Alvaro Moratas.

Zhvillohej minuta e 19-të kur Nahuel Morina asistoi te Morata i cili nga afër shënoi për 1-0.

Kjo pjesë lojë solli vetëm edhe një rast të mirë, kur Eder Militao gjuajti mbi portë.

Në pjesën e dytë Real Madridi u lëshua në sulm për të gjetur golin e barazimit.

Në minutën e 58-të, kur Karim Benzema ishte afër të gjente rrjetën, por Jan Oblak ishte në vend.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 79-të, kur Rodrygo shënoi për 1-1. Braziliani mori një top në fushën e Atleticos para zonës, kaloi disa lojtarë dhe shënoi gol të bukur.

Atletico Madridi ka mundur të kthejë epërsinë në minutën e 84-të, por gjuajtja e Griezmann shkoi mbi portë.

Vazhdimet nisën me një zënkë kur Stefan Savic dhe Vinicius Junior u ndëshkuan me të verdhë, por për malazezin ishte i dyti, duke u larguar nga loja.

Në minutën e 104-të u shënua edhe goli që vendosi ndeshjen kur Karim Benzema shënoi për 2-1.

Krejt në fund  shënoi edhe Vinicius për 3-1 pas një aksioni të bukur individual për 3-1. /Telegrafi/