Telegrafi

Real Madridi duhet të pres 48 orë për të mësuar për situatën e Karim Benzema

Fitorja mbresëlënëse 3-0 e Real Madridit si mysafir ndaj Celtic në startin e Ligës së Kampionëve nuk ishte pa lajme të këqija. Zëvendësimi i detyruar i Karim Benzemas shkaktoi shqetësim në kampion i madrilenëve.

Si Benzema ashtu edhe Eder Militao u përballën me probleme fizike në Glasgou dhe të mërkurën dhe të enjten priten lajme për gjendjen e tyre.

Skuadra është kthyer në kryeqytet rreth orës 05:00 dhe Carlo Ancelotti u ka dhënë lojtarëve një ditë pushimi pas një paraqitje mjaft të mirë në Skoci.

Tani të gjithë sytë janë te Benzema. Në varësi të asaj se si ndihet kur të zgjohet të mërkurën, ai ose do të shkojë në Valdebebas për analiza ose do të presë dhe do ta bëjë këtë gjë të enjten.

Nr.9 u largua pas vetëm gjysmë ore të martën për shkak të dhimbjes së fortë në këmbën e djathtë. Mjeku i klubit e cilësoi si shqetësim, por nuk specifikoi më shumë. Burime nga dhoma e zhveshjes thonë se ishte gjuri i tij.

Real Madrid po mendon të ndjekë rrugën në të cilën eci Gareth Bale dhe të mos bëjë publike asnjë detaj të lëndimit të Benzemas.

Militao çaloi me probleme muskulore edhe gjatë natës, por Carlo Ancelotti ishte i bindur se lëndimi i tij nuk ishte asgjë e madhe. Braziliani do të përballet me teste të enjten./Telegrafi/