Telegrafi

Real Madrid përgatitet t’i ofrojë një kontratë të re Ancelottit

E ardhmja e trajnerit të Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka qenë temë diskutimi gjatë muajve të fundit.

Kontrata e teknikut italian me “Los Blancos” skadon në fund të këtij sezoni dhe është spekuluar gjerë se ai mund të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares së Brazilit.

Federata e Futbollit të Brazilit (CBF) ka bërë shumë përpjekje për të bindur italianin, por Ancelotti gjithmonë e ka distancuar veten nga këto lajme dhe ka mbetur i fokusuar tek puna me klubin spanjoll.

Tani, kjo situatë ka marrë një kthesë të madhe, teksa gazetari Hugo Cerezo ka raportuar se Real Madridi po e konsideron mundësinë për t’i ofruar Ancelottit një kontratë dyvjeçare.

Nuk është një sekret se 64-vjeçari ka një marrëdhënie të veçantë me presidentin e klubit, Florentino Perez, ashtu edhe me të gjithë bordin e klubit.

Duke marrë në konsideratë të gjitha këto, në “Valdebebas” ka zëra se po konsiderohet mundësia për t’i ofruar atij një kontratë të re, në mënyrë që të vazhdojë projekti që ka filluar me lojtarët e rinj si Vinicius, Rodrygo, Bellingham, Camavinga dhe të tjerët.

Trajneri veteran në çdo rast e ka shprehur dashurinë e tij që ka për klubin, duke lënë dyert hapur për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit.

Në rast se një marrëveshje mes dy palëve nuk arrihet, emra si Xabi Alonso dhe Raul Gonzalez, janë kandidat potencial për t’u ulur në stolin madrilen./Telegrafi/