Mediat serbe kanë raportuar sot se shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini, është larguar nga takimi i Këshillit të MSA-së, për shkak të një kërkese të bërë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas medieve serbe, Haradinaj ka kërkuar që të rritet pjesëmarrja e SHBA në procesin e dialogut të Beogradit dhe Prishtinës.
Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar këshilltarja politike e kryeministrit Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ajo ka thënë se ky lajm është fabrikim i medieve serbe.
“Jo nuk është e vërtetë, Mogherini nuk e ka lëshuar takimin. Është fabrikim i medieve serbe”, ka thënë Haradinaj-Stublla për Telegrafin. /Telegrafi/