Telegrafi

Reagon Sindikata e Punëtorëve të RTK-së pas rekomandimit për shkarkim të bordit

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së përmes një reagimi publik ka është shprehur e habitur me veprimin e Komisionit për Buxhet e Transfere në Kuvendin e Kosovës, i cili i ka rekomanduar Kuvendit shkarkimin e Bordit të RTK-së.

SPERTK konsideron se ky rekomandim është i motivuar politikisht dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemeve me të cilat po përballet RTK-ja vitet dhe muajt e fundit.

“SPERTK pati zhvilluar takime me deputetët e shumicës dhe të Komisionit për Buxhet e Transfere si dhe atij për Media dhe i ka mbështetur të gjitha kërkesat që kanë pasur ata dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga Bordi dhe Menxhmenti që t’u ofrojnë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe t’i njoftojnë deputetët me situatën reale në RTK dhe për çdo cent të shpenzuar”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim thuhet se “si Sindikatë, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që nëse duan ta zgjidhin çështjen e RTK-së e kanë fare të lehtë. Ne kemi reaguar vite me radhë se RTK-së duhet t’i bëhet zgjidhje afatgjatë me ligjin e ri, ndërtimin e objektit të ri dhe digjitalizimin, probleme të cilat kemi pritur se do të zgjidhen nga kjo legjislaturë e cila e ka shumicën në Kuvend”.

Lexo po ashtu Punësimet familjare e partiake në RTK, deputeti i LVV-së prezanton emrat, reagojnë anëtarët e Bordit

Më tej në komunikatë thuhet se, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e kundërshton çdo veprim që mund ta destabilizojë RTK-në, sidomos në këtë situatë jo të favorshme në të cilën është RTK-ja.

“Sindikata rithekson se Bordi e Menaxhmenti duhet t’i japin sqarime e llogari për çdo gjë themeluesit – Kuvendit të Kosovës. Po ashtu kemi bërë ftesë dhe përsëri bëjmë thirrje që çdo cent i shpenzuar i RTK-së të auditohet nga cilido auditor që kërkon Kuvendi i Kosovës”, vijon reagimi.

Tutje, në reagimi theksohet se “Sindikata do t’i ndjekë zhvillimet nga afër në lidhje me RTK-në dhe varësisht nga vlerësimi ynë, ne do të përdorim të gjitha format ligjore, nga protestat e deri tek ankesat në Gjykatë”.

“Me asnjë çmim nuk do ta lejojmë asnjë individ apo grupacion politik ta dëmtojë dhe ta destabilizojë RTK-në. Për veprimet e mëtejme të SPERTK-së do të njoftoheni ditët në vijim, varësisht zhvillimeve”. /Telegrafi/