Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka thënë se dy personat e lënduar në Ferizaj nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi.
Përmes komunikatës për medie, SHSKUK ka thënë se ata janë duke marrë trajtimin e duhur në QKUK, për shkak të shkallës më të vogël të djegies.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se, 2 personat e djegur, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por do të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies. Katër pacientë, që janë vlerësuar nga profesionistët shëndetësorë, që janë në gjendje më të rëndë, në bazë të sipërfaqes dhe shkallës së djegies, janë dërguar në qendër të specializuar për trajtimin e këtyre pacientëve ne Turqi”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHSKUK-së, “Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë vepruar konform konsultave me mjekët profesionistë të fushës dhe nuk e kanë hequr askënd nga lista për trajtim jashtë vendit”.
“Rastet e kësaj natyre janë trajtuar në QKUK për 20 vjet me radhë, në mënyrë profesionale dhe me sukses të plotë. Dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së. Në bazë te vlerësimit të gjendjes nga profesionistet shëndetësor, do të shikohet mundësia që edhe këta dy pacientë te dërgohen jashtë vendit për trajtim”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/