Site icon Telegrafi

Reagon presidenti Milatoviq, pasi kryetari i Kuvendit të Malit të Zi u pa në shtabin zgjedhor të Vuçiqit në Serbi

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se beson se kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq mbrëmë nuk ka pasur vend në asnjë shtab zgjedhor në Serbi dhe se ky është një mesazh i keq.

Reagimi i presidentit vjen pasi kryetari i Parlamentit të Malit të Zi dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe (NSD), Andrija Mandiq, mbrëmë në Beograd mori pjesë në fjalimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në selinë e listës “Serbia nuk duhet të ndalet”, të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS).

“E pashë mbrëmë. Mendoj se është çështje e përgjegjësisë personale dhe profesionale të zotit Mandiq. Mendoj se kryetari i Kuvendit të Malit të Zi mbrëmë nuk ka pasur vend në selinë zgjedhore të asnjë partie në Serbi, por gjithsesi, siç thashë, është çështje e përgjegjësisë profesionale dhe personale të zotit Mandiq”, citohet të ketë thënë Milatoviq para gazetarëve në Cetinje, përcjell Telegrafi.

Ai tha se mesazhi sigurisht nuk ishte i mirë.

Lexo po ashtu “Bota serbe në veprim”: Reagime të shumta pasi Dodik i Bosnjës dhe Mandiq i Malit të Zi u panë afër Vuçiqit gjatë zgjedhjeve në Serbi

Ndryshe, veprimi i Mandiq ka nxitur reagime teksa ai është parë bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në selinë e partisë SNS.

Përveç tij, aty janë parë edhe ministri i Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Nenad Neshiq dhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik.

“’Bota serbe’ në veprim. Fjalimi i fitores i presidentit të Serbisë në selinë e SNS-së ku morën pjesë – presidenti i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ministri i Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Nenad Neshiq dhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik”, shkruante në përshkrimin e një fotografie të publikuar nga portali Istraga në X (ish-Twitter). /Telegrafi/

Exit mobile version