Site icon Telegrafi

Reagon Mustafa: Të fajësohet e kërcënohet Daka se po e zbaton aktgjykimin e Kushtetueses, është e padrejtë dhe e palejueshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk duhet të akuzohet kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për shkak se disa kandidatëve nuk u lejohet të kandidojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mustafa ka thënë se të fajësohet kryetarja e KQZ-së, është e padrejtë dhe e palejueshme, transmeton Telegrafi.

“Të fajësohet Kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është e padrejtë dhe e palejueshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i çuditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së iniciuar nga LVV”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Tutje, Mustafa ka thënë se as LDK-së, nuk i ka pëlqyer aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“As neve si LDK, s’na ka pëlqyer. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare.Prandaj mos e atakoni zonjën Daka, sepse nuk keni të drejtë”, ka pohuar ai.

Ky reagim i Mustafës, vjen një ditë pasi kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjfuca ka akuzuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka se po dëshiron eliminimin politik të Albin Kurtit.

“Personi që në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”, ka thënë Konjufca.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt./Telegrafi/

Exit mobile version