Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri tani janë dorëzuar 23,118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesar, për shkak të kontratës kolektive të nënshkruar paligjshëm.
“Shuma e kërkuar për përmbarim ka arritur në 35.8 milionë euro, ku 25.6 milionë euro janë për borxhin ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro për tarifat e përmbaruesve,” ka deklaruar Murati.
Ai ka theksuar se, sipas Asociacionit të Komunave, dëmi buxhetor ka kaluar shifrën e 100 milionë eurove, por ende nuk ka pasur asnjë rast të hapur nga prokuroria ndaj përgjegjësve të kësaj situate.
Murati ka ngritur shqetësimin edhe për tarifat e përmbaruesve, duke thënë se në disa raste ato i tejkalojnë vetë vlerat e borxheve të përmbaruara.
“Organet e rendit duhet të merren seriozisht me këtë çështje,” ka theksuar ai.