Telegrafi

Reagon Mimoza Kusari pasi që Thaçi nuk e ftoi në takim

Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk e ka ftuar në takim, ashtu siç kishte bërë me të gjithë liderët e partive në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka thënë se presidenti Thaçi nuk e kishte konsideruar të denjë zyrtarisht një grua kryetare, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët.

“Sot e kuptova se Presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua Kryetare të partisë Alternative, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët”, shkruan Kusari-Lila.

Ajo shtoi tutje se me veprimin e tij sot, Thaçi sot ka treguar se është gjithçka përveç unifikues.

“Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të “mbuluar me letra”, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë”, shkruan liderja e partisë Alternativa.

Sipas saj, kjo mos-përfshirje e saj në këto takime, tregon hipokrizinë e retorikës për gjithpërfshirje të grave në jetën politike.

“Ashtu sikur edhe shumë raste tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizinë e retorikës për gjithëpërfshirje të grave në jetën politike nga Presidenti i vendit. Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë. Ky postim nuk e paragjykon pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen time në ftesën eventuale. Ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të Presidentit për trajtimin e gruas në politikën Kosovare”, thuhet në reagimin e Kusari-Lilës. /Telegrafi/