Telegrafi

Reagon MEF: Faji për mosmarrje të pagave nuk qëndron tek ne

“Pengesa për mosmarrjen e pagave qëndron tek zyrtarët nëpër komuna që merren me këtë çështje dhe jo te MEF apo shërbyesit civil”, tha për “Telegraf”, Muharrem Shahini, zëdhënës në MEF.

Ndërkohë me anë të një njoftimi zyrtar MEF,ka njoftuar se, i gjithë personeli i të gjitha organizatave buxhetore të cilat e kanë kompletuar dokumentacionin e kërkuar sipas ligjit në fuqi tanimë i kanë marrë pagat e tyre për muajin janar.

"Disa organizata buxhetore edhe përkundër thirrjeve dhe sugjerimeve të vazhdueshme nga ana e MEF-it, ende nuk e kanë bërë kompletimin e dokumentacionit dhe si pasojë punëtorët e atyre organizatave ende nuk i kanë marrë pagat e janarit”.

Në njoftimin e MEF-it po ashtu thuhet se kjo ministri është plotësisht e gatshme që në momentin e kompletimit të dokumentacionit nga organizatat buxhetore të bëj procedimin e këtyre pagave nëpër llogari bankare.

“MEF u bën thirrje zyrtarëve përgjegjës të jenë të përgjegjshëm në respektimin e ligjeve në fuqi gjithmonë me qëllim të shërbimit sa më të mirë të qytetarëve”. /Telegrafi/