Site icon Telegrafi

Reagon Komuna e Çairit për zhvillimet e fundit

Komuna e Çairit ka reaguar ndaj informacioneve dhe spekulimeve të shumta që janë përhapur gjatë ditëve të shkuara, e që kanë të bëjnë me një incident të përfolur në komunën e Çairit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në reagim thuhet:

„Komuna e Çairit, si institucion i qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve, distancohet dhe denoncon çdo formë të sjelljes e cila tejkalon apo thyen normat e përgjithshme të mirësjelljes.

Komuna, si institucion ligjor e kushtetues, funksionon konform rendit kushtetues dhe ligjeve në Rpubliken e Maqedonisë. Në çdo rast kur cënohet integriteti i institucionit dhe kur administrata dhe qytetarët kanë arsye të besojnë se janë të cënuar, Komuna, në mënyrë institucionale, do të kërkojë nga organet e rendit që ta rivendosin rendin dhe sigurinë në premisat e Komunës.

Komuna e Çairit përkujton opinionin e gjërë se Komuna është e të gjithë qytetarëve të saj. Komuna nuk është organ politik dhe nuk është parti politike. Në këtë drejtim, dëshirojmë të hedhim poshtë dhe të distancohemi nga të gjithë ata të cilët gjatë këtyre ditëve janë përpjekur që ta rrënojnë imazhin e Komunës dhe për më keq, t’i japin karakter të përplasjes politike apo tjetër fare një përpjekjeje të shëmtuar për të penguar punën e Komunës.

Komuna siguron të gjithë qytetarët e saj si dhe opinionin e gjërë se nuk ka arsye për asnjë shqetësim, se administrata vijon me kryerjen e detyrave të saj të përditshme në shërbim të qytetarëve, dhe se prioritet i yni i vetëm vazhdojnë të jenë qyetatarët dhe vetëm qytetarët.

Në fund, kërkojmë nga organet e rendit që, konform kompetencave të tyre, ta procedojnë më tutje ngjarjen e shëmtuar dhe të punojnë me përkushtim për të rivendosur mirebesimin e qytetarëve tek institucionet.“/Telegrafi/

Exit mobile version