Serbia vazhdimisht po lobon për pengimin dhe anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, duke përdorur edhe propagandë mediatike.
Pretendimi i fundit i Serbisë ishte me Liberinë, për të cilën, nga Beogradi zyrtar u plasuan informata se ka anuluar njohjen e Kosovës dhe më pas demantimi i këtij informacioni jo vetëm nga Prishtina zyrtare, por edhe nga vetë Qeveria e Liberisë.
E për këtë, ka reaguar ashpër Komisioni i Punëve të Jashtme të Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve.
Përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Twitter, Komisioni i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka thënë se mashtrimet e shtetit serb, kinse vendet e botës po ia kthejnë shpinën Kosovës, është gënjeshtër, duke theksuar se Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës është i përhershëm.
“Pretendimet mashtruese të Serbisë se vendet po i kthejnë shpinën Kosovës është e rreme dhe duke shkaktuar zemërim në rritje në mbarë botën. Serbia duhet ta ndalë këtë dhe të kthehet në normalizimin me fqinjin e saj. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës është i përhershëm”, thuhet në publikimin e tyre në Twitter, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, krerët shtetërorë të Serbisë, shpesh deklarojnë se shtete të ndryshme e kanë tërhequr njohjen. Por, sipas autoriteteve kosovare, bazuar në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston tërheqja e njohjes, por vetëm ngrirja e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete./Telegrafi/
#Serbia’s fraudulent claims that countries are turning their backs on #Kosovo is false and causing increasing anger around the world. Serbia should stop this and get back to normalization with its neighbor. Kosovo’s independence and sovereignty is permanent.
— House Foreign Affairs Committee Democrats (@HFACDemocrats) June 23, 2018