Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një reagimi publik ka thënë se Serbia nuk po i ndalë provokimet kundër Kosovës dhe institucioneve sikur edhe bartësve të posteve më të larta.
KMDLNj thotë se “Agjencioni Kundër Korrupsionit paska nisur hetimet për mosdeklarim të pasurisë kundër Goran Rakiqit, zëvendëskryeminister i Kosovës dhe kryetar i Listës Serbe për shkak të mosdeklarimit të pasurisë si drejtor i ndërmarrjes Standard, ndërmarrje pjesë e sistemit paralel të Kosovës duke e kërcënuar me burg prej 6 muaj e deri në 5 vite”, transmeton Telegrafi.
“Ky veprim paraqet ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe Goran Rakiq po trajtohet si qytetar dhe shtetas i Serbisë. Qeveria e Kosovës përkatësisht kryeministri Hoti duhet të deklarohet për këtë rast sepse është joserioze, nënçmuese dhe nëpërkëmbje e kredibilitetit që të lejohet që shteti i Serbisë që ka sjellje shkatërruese dhe armiqësore ndaj Kosovës të hetojë zyrtarët më të lartë të saj qoftë ai edhe Goran Rakiq”, thuhet në reagim.
Më tej, KMDLNj pohon se zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq duhet të deklarohet rreth këtij hetimi.
“Nëse e pranon këtë hetim si të ligjshëm atëherë duhet të jep dorëheqje nga posti që e mbanë në Qeverinë e Kosovës në të kundërtën duhet të shkarkohet nga ky post nga kryeministri Hoti. Nuk mund të jeni edhe udhëheqës i ndërmarrjes paralele, të pranoni hetim nga Agjencioni Kundër Korrupsionit të Serbisë e në të njëjtën kohë të jeni zëvendëskryeministër i Kosovës! Nëse kjo pranohet atëherë nënkupton se Kosova po pranon ndarjen e sovranitetit juridik me Serbinë e kjo është e papranueshme. Nuk ka raste të ngjashme në botë dhe një shtet normal nuk do ta pranonte këtë”. /Telegrafi/