Dëbimi i ambasadorit të Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia ka sjellë reagimin zyrtar të Teheranit.
Deri më tani ka vetëm një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi.
Në emër të Qeverisë së Iranit, ai fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit për dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Ata dhe vende të tjera, sipas Teheranit zyrtar, kanë punuar për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me vendet evropiane.
Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi që thotë se Irani ka respektuar gjithmonë marrëdhëniet e përzemërta me Shqipërinë duke respektuar të gjitha rregullat e këtij vendi europian bazuar në parimet e politikës së jashtme të Iranit.
Përgjigjja vjen për akuzën shqiptare se dy diplomatët iranianë kishin kryer aktivitet në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik. Sipas Ministrisë së Jashtme të Iranit, Shqipëria është bërë një viktimë e rastësishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe disa grupeve terroriste. Ai thotë se SHBA dhe Izraeli po punojnë për të shkatërruar marrëdhëniet mes Iranit dhe vendeve evropiane dhe se Shqipëria nuk duhet të lejojë të tjerët të diktojnë marrëdhëniet e saj me Teheranin. /Telegrafi/