Site icon Telegrafi

Reagon Iniciativa “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” ndaj Elem Turs

Iniciativa qytetare “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” përmes një komunikate për Telegrafi Maqedoni, ka reaguar ndaj kompanisë ‘Elem Turs’ e cila menaxhon me qendrën turistike Kodra e Diellit nga viti 1999. Iniciativa thotë se kjo kompani ka dështuar të plotësojë pritshmëritë dhe premtimet për investime në këtë qendër dimërore.

‘Ne, iniciativa qytetare “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” konstatojmë se kompania “Elem Turs” e cila menaxhon me qendrën turistike Kodra e Diellit nga viti 1999 ka dështuar të plotësojë pritshmëritë dhe premtimet për investime në këtë qendër dimërore.

Për informim të publikut, kompania “Elem Turs” është zotuar se në Qendrën Rekreative Dimërore “Kodra e Diellit” do të investojë deri 80 milionë euro deri në vitin 2015, edhe atë në rikonstruimin e hoteleve “Sllavia” dhe “Kodra e Diellit”, ndërtimin e garazhit në kate, ndërtimin e një liqeni artificial, pista të renovuara skijimi, ndërtimin e një teleferiku të ri me gjashtë ulëse si dhe renovim i teleferikut Tetovë – Lisec – Kodër e Diellit, etj. Premtimi i kompanisë menaxhuese “Elem Turs” se do ta bëjë Kodrën e Diellit një prej qendrave kryesore të skijimit në Ballkan jo vetëm që nuk është realizuar, por përkundrazi kjo qendër skijimi e cila ka qenë një ndër më të njohurat në Evropën Juglindore po degradohet vit pas viti gjithnjë e më shumë.

Duke u nisur nga kjo gjendje e krijuar e cila kërkon vëmendje të menjëhershme, dhe duke konsideruar se masat emergjente për të shpëtuar Kodrën e Diellit janë tashmë të vonuara, kërkojmë nga autoritetet përgjegjëse që të shqyrtojnë mundësinë për t’i hequr kompanisë “Elem Turs” të drejtën për të menaxhuar me këtë qendër skijimi, dhe të hapet thirrje e re publike për të tërhequr investitorë më seriozë që kanë përvojë në ngritjen, zhvillimin dhe menaxhimin e qendrave të skijimit nëpër vende të ndryshme të Botës.

Presim nga gjithë autoritetet përgjegjëse të reagojnë në kohë rekorde sepse shpëtimi i Kodrës së Diellit nuk pret. Jemi në fund të një sezoni totalisht të dështuar, prandaj duhet që sot të nisim të përgatitemi edhe për sezonin e ardhshëm dimëror, por edhe për vënien në funksion të Kodrës së Diellit për rekreacion veror dhe zhvillim të turizmit malor. Anashkalimi dhe mospërfillja e këtyre kërkesave do të rezultojë me revoltë të sportdashësve, pronarëve të vilave, bizneseve dhe sidomos banorëve të fshatrave rreth Kodrës së Diellit të cilët e shohin këtë qendër si mundësi për zhvillim më të madh ekonomik, jo vetëm të zonës malore, por edhe të qytetit të Tetovës në përgjithësi’, thonë të Iniciativës.

Kujtojmë lexuesit se Iniciativa filloi më 26.01.2017 në udhëheqësi të një këshilli inicues për të vepruar dhe për ta shpëtuar qendrën turistike Kodra e Diellit në Tetovë. /Telegrafi/

Exit mobile version