Telegrafi

Reagon Hoxhaj: Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantazmat serbe kinse për arkiva të UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pasi kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti, ka njoftuar se në takimet e fundit në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kanë propozuar dhe ftuar Miroslav Lajçak që të ketë qasje të plotë në arkivat shtetërore të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme janë të përmasave alarmante, transmeton Telegrafi.

“As në ëndrrën time më të keqe nuk kam menduar se do ta përjetoj këtë ditë, kur Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantamzat serbe kinse për arkiva të UÇK-së. Kjo është barazim i viktimës me agresorin dhe krahasim i UÇK-së me ushtrinë serbe! Gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e Jashtme janë të përmasave alarmante, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare dhe shtetësinë tonë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ndryshe, Andin Hoti ka dhënë detaje rreth vizitës dy ditore në Bruksel të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Hoti përmes një statusi në Facebook, ka thënë se e kanë ftuar Lajçak për qasje të plotë në arkivat shtetërore të Kosovës, me qëllim që të heqin çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket “shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së”. /Telegrafi/