Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka reaguar sot pasi iu dogj vetura në orët e hershme të mëngjesit.
Grubi në një postim në Facebook u kërkon falje fqinjëve e familjes për shqetësimin që e përjetuan nga djegia e veturës për shkak të siç thotë, profesionit të tij.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e tij në Facebook:
I kërkoj ndjesë të gjithë fqinjëve të mi në lagjen tonë për shqetësimin e madh që e përjetuan mbrëmë para ndërtesës ku jetoj, për arsye të profesionit tim.
I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim.
Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria.
Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzare, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve.
Ju kërkoj falje që shqetësimet e mija dhe të familjes sime u shndërruan në shqetësime edhe të fqinjëve dhe shoqërisë.
Shpreh mirënjohje për të gjithë fqinjët e mi si dhe për forcat e sigurisë dhe përpjekjet e tyre për ta zbardhur sulmin e mbrëmshëm.
Ju falënderoj dhe të gjithë juve për përkrahjen e madhe. /Telegrafi/