Shefi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçi ka reaguar sot lidhur me rastin e shoferit të institucionit që ai e drejton, Enis Qerka, i cili është arrestuar nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë narkotikë, që dyshohet të jetë marihuanë.
Thaçi në një reagim dërguar mediave ka thënë se ndaj tij dhe familjes është duke u bërë një fushatë denigruese pa pasur as edhe një fakt të vetëm.
Lexoni të plotë reagimin e Gani Thaçit:
“Me këtë reagim dua të njoftoj gjithë opinion publik se ndaj meje personalisht dhe ndaj familjes time është duke u bërë një fushatë denigruese pa pasur as edhe një fakt të vetëm. Dje është shkruar në portale se është arrestuar Enis Qerka, punëtor i Byros Kosovare të Sigurimit dhe qëllimisht i njëjti është prezantuar si shoferi personal i imi.
I njëjti i asnjëherë nuk ka qenë as shoferi i imi dhe as që ka punuar ndonjëherë si shofer në byro.
Këtë e dëshmon edhe dokumenti i bashkangjitur i cili tregon shumë qartë se Enis Qerka ka qenë për më shumë se gjashtë vjet Zyrtar i Logjistikës në Departamentin e Financave dhe Administratës.
Në vendimin e bashkangjitur të cilin e ka nënshkruar drejtori i Byros z.Blerim Pushkolli me datë 13.11.2018 Enis Qerka është njoftuar se nga data 31.12.20018 për arsye ekonomike i ndërpritet marrëdhënia e punës në këtë departament.
Pra, siç edhe e vërteton ky dokument i njëjti person dhe asnjë tjetër në byro nuk ka qenë asnjëherë shoferi i imi personal ngase asnjëherë nuk kam pasur shofer.
Tutje çdo tentim që ky person të ndërlidhet me mua është i qëllimshëm. Përgjegjësia penale është individuale dhe i njëjti dhe të gjithë të tjerët që mund të bëjnë vepra penale para ligjit janë përgjegjës vet.
Me këtë reagim unë e mbyll këtë çështje e cila qëllimisht është ndërlidhur me mua dhe njoftoj gjithë opinionin publik se do të nis procedurat ligjore për të gjithë ata që qëllimisht kanë shpifur kundër meje dhe familjes time”. /Telegrafi/