Qeveria e Kosovës thotë se ka pritur me të drejtë lirimin e plotë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga drejtësia franceze, duke pas parasysh fletarrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia.
“Prandaj, Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të z. Haradinaj e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, z. Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i Haradinajt, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh.
“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthim sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë si dhe për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe”, thuhet në fund të komunikatës. /Telegrafi/