Protesta në Rrugën e Kombit kundër vendosjes së taksës ka dalë jashtë kontrollit dhe protestuesit pasi u përleshën me forcat e policisë, kanë shkatërruar edhe koncesionarin e ngritur për pagesën e taksës.
Protestuesit janë futur edhe brenda sporteleve dhe kanë shkatërruar edhe kompjuterët.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar pas protestës që përshkallëzoi në dhunë mes policisë dhe protestuesve.
Ai tha se Edi Rama po grabit qytetarët me taksat më të larta.
“Me taksën e qarkullimit dhe atë të vendosur në rrugën e Kombit, Edi Rama i grabit dy herë qytetarët. Edi Rama vendosi me dhunën e kartonëve në Kuvend, me dhunën e policisë, për të grabitur qytetarët për të mbushur xhepat e tij. Sot qytetarët vendosën ti thonë ndal Edi Ramës, i treguan Edi Ramës se një qeveri anti-kombëtare nuk e mposht dot popullin. I kërkoj Edi Ramës të tërheqë menjëherë policinë dhe të ndalë dhunën barbare ndaj qytetarëve. I bëj thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë taksën. Kur përballet populli me një qeveri të korruptuar, fiton vetëm populli”, tha Basha.