Site icon Telegrafi

Reagon Demaj pas debateve për historinë: Janë shpifje dhe linçime që po më bëhen, po ma rrezikoni jetën time dhe të familjes

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe historiani Frashër Demaj ka reaguar ndaj disa deklaratave që kanë qarkulluar ditëve të fundit në vend, në lidhje me projektin e historisë së përbashkët nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore, ku ishte pjesëmarrës.

Demaj tha se edhe pas reagimeve të shumta për këtë projekt ka qenë shumë i qetë dhe i duruar, edhe pse siç tha ai këto reagime kanë vënë në rrezik jetën e tij dhe të familjes së tij.

Ai po ashtu tha se linçimet që i janë bërë, janë bërë nga njerëz që kanë qëllime tendencioze për ta cenuar imazhin e tij.

“Këto ditë kam qenë i duruar i qetë dhe i urtë për faktin se LDK-ja e ka një traditë të trashëguar nga presidenti Rugova. Gjatë këtyre ditë janë bërë shumë shpifje, insinuata dhe gënjeshtra në qarqe të ndryshme me qëllim të cenimit publik të imazhit të dikujt”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Tërmkolli: “Projekti i historisë së përbashkët”, kulmi i marrëzisë sonë që nga paslufta

Deputeti Demaj po ashtu tha se personat që janë munduar të cenojnë imazhin e tij, as nuk i kanë lexuar këto shkrime, pasi siç sqaroi ai, këto fjali që po qarkullojnë nuk janë nën autorësinë e tij.

“E kam thënë disa herë dhe po e them prapë sepse nuk mund të zgjerohem shumë për arsye të kohës. Ju që nuk lexoni, kapni librat dhe shikoni. Ndërsa ju të tjerët që keni qëllime tendencioze hiqni dorë nga këto situata sepse nuk ju bëjnë nder juve. Pjesa e botuar në një botim ndërkombëtar ku fyhet dinjiteti i gruas shqiptare, edhe dje edhe sot unë shfaq indinjatën time dhe bashkohem me ata njerëz që janë korrekt dhe i trajtojnë gjërat në mënyrën e duhur. Ky shkrim është i para 200 vjetëve, 1801 dhe e ka shkruar Brayton. Shikoni faqen 136. Pra unë as nuk jam autor dhe as nuk jam pjesë e redaksisë dhe kush merret me shkencë i kupton këto gjëra, cila është përgjegjësia e autorit dhe cila është përgjegjësia e një redaksie të caktuar. Unë dhe grupi im punues i Kosovës mbajmë përgjegjësi vetëm për ato materiale që mbajnë vulën e agjencionit shtetërorë të arkivave të Kosovës”, ka sqaruar ai.

Lexo po ashtu Vjen reagimi parë nga tre historianët që morën pjesë në "Projektin e Historisë së Përbashkët"

Demaj gjithashtu tregoi se në cilën faqe sqarohen shkrimet dhe nga janë huazuar ato.

“Meqë po e kërkoni dhe jam shumë i bindur që nuk e keni lexuar hiç, shikoni në faqen 66 ku flitet për përpjekjet paqësore të Rugovës për pavarësi, faqe 67 flitet për UÇK-në, edhe në faqen 68 flitet për UÇK-në, në faqen 69 i keni refugjatët shqiptarë në kufirin Kosovë-Shqipëri, aty flitet dhe për masakrën e Reçakut sipas Human Right Ëatch, në faqen 70 flitet për masakrën e Reçakut sipas gazetës serbe, ku kjo gazetë e quan incidente. Pra e quan gazeta Vreme e nuk e quajnë as burimet e Kosovës dhe as Frashër Demaj”, tha ai.

Demaj i quajti shpifje dhe linçime të gjitha reagimet që janë bërë ditëve të fundit.

Ai tha se shkenca i ka ligjet e veta dhe siç tha ai asnjë fjalë nuk e ka shkruar që mund ta cenojnë dinjitetin kombëtarë shtetërorë.

“Pra ata që kanë shpif aq shumë  dhe më kanë linçuar dhe më kanë fyer kaq shumë, ata që më kanë rrezikuar jetën e familjes time dhe timen, ata që nuk kanë dinjitet dhe karakter njerëzor, le të vazhdojnë dhe le të linçojnë, le të më shajnë, e le të më fyejnë por asnjëherë nuk më frikësojnë. Ata le ta din se nuk mund të ma cenojnë dinjitetin akademik dhe as kombëtarë timin. Ata duhet ta kuptojnë që shkenca i ka ligjet e veta. Ata le ta kuptojnë se unë nuk kam shkruar asnjë fjalë që cenojnë dinjitetin kombëtarë  shtetërorë. Ata që kanë sharë e shpifur për Skënderbeun, e Isa Boletinin e kanë quajtur tradhtarë, Azem Bejtën,  Nënë Terezën e kanë quajtur me terma që nuk i nxjerr goja ime. Edhe Rugovën e Adem Jasharin…Ata janë njerëz të dështuar dhe nuk mund të ma cenojnë imazhin tim publik”, tha ndër të tjera deputeti, Frashër Demaj.

Ndryshe, “Projekti i historisë së përbashkët”, nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore ka shkaktuar debate në Kosovë.

Në këtë projekt të përmbledhur në disa vëllime kanë kontribuar autorë nga vende të ndryshme ndër të cilët është edhe historiani nga Kosova, Frashër Demaj dhe disa historianë nga Shqipëria.

Disa citate nga ky libër kanë ngjallur indinjatë në Kosovë. Dokumentet e dërguara nga historianët serb për masakrën e Reçakut i referohen me termin“incident”, ndërsa në disa raste tjera denigrohet personaliteti i gruas shqiptare. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version